Ballkan Petrol kalon në energji të gjelbër

Në kuadër të programit për investime në lëminë e energjisë së ripërtëritshme dhe mbrotje të mjedisit, kompania “Ballkan Petrol” ka instaluar panele fotovoltaike mbi çatinë e fabrikës së vajrave ”Primoil”, me kapacitet maksimal prodhues prej 100kW, pastaj 95 kW të tjera tek restoranti “Ballkan Restaurant” në Prelez të Ferizajt, përkatësisht 80kW tek kompleksi i kësaj kompanie në Kaçanik të Vjetër. Me këto investime, kjo kompani u kualifikua në grupin e prodhuesve të parë kosovarë që përdorin energji të gjelbër në vijën e tyre të prodhimit.

Punët në ndërtimin e këtyre stabilimenteve solare janë kryer me sukses nga prodhuesi kosovar i paneleve solare “Jaha Solar”.

Gjatë vitit të parë të funksionimit të këtij sistemi, kompania ka regjistruar prodhim vjetor prej 231MWh të energjisë elektrike ekologjike, duke dhënë kështu kontribut në zvogëlimin e emitimit të dioksidit të karbonit në ajër për 195 tonelata, aq sa do të emitoheshin nëse kjo energji do të prodhohej me djegien e lëndëve të ngurta.